“Nuk dua të bëhem barrë”, 58-vjeçari i jep fund jetës në Berat – Lë pas një letër prekëse lamtumire

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin e Beratit, ku një 58-vjeçar ka vendosur t’i japë fund jetës në mënyrë tragjike. Ngjarja ndodhi në lagjen “13 Shtatori”, ku viktima, i identifikuar si Y. R., u gjet i vetëvarur në dhomën e gjumit të banesës së tij nga bashkëshortja.

Sipas burimeve nga policia, në trupin e të ndjerit nuk janë konstatuar shenja dhune, duke konfirmuar dyshimet se bëhet fjalë për vetëvrasje.

Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, forcat e policisë gjetën një letër të shkruar nga viktima, ku ai i kërkonte falje bashkëshortes dhe sqaronte vendimin e tij fatal. Në letrën e dhimbshme, ai shprehej se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe përballë mundësisë së paralizës së plotë, nuk dëshironte të bëhej barrë për familjen.

“Ju kërkoj falje, nuk dua të bëhem barrë”, shkruante ai në mesazhin e tij të fundit.