“Nuk dua ta plotësoj vetëdeklarimin nëse kam përdorur Sky ECC”- Deputeti socialist pyet Bardhin: Çfarë do të ndodhë? Ja si përgjigjet kreu i Grupit Parlamentar të PD

Në Komisionin për Mandatin dhe Rregulloret ka pasur debat mes deputetëve për një propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që parashikon vetëdeklarimin nga deputetët nëse kanë përdorur aplikacionin Sky ECC.

Deputetët socialistë, përfaqësuar nga Arben Pëllumbi, kanë sugjeruar ngritjen e një grupi pune për shqyrtimin e propozimit, duke e cilësuar si një zgjidhje më të matur për të arritur në kompromis mes palëve. Pëllumbi gjithashtu ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse një deputet refuzon të plotësojë vetëdeklarimin.

Debati në Komision

Pëllumbi tha:

“Më lind pyetja, në rast se një deputet nuk do ta plotësojë, çfarë parashikoni ju në këtë propozim? Asgjë. Prandaj që ta bëjmë të pjekur këtë, propozojmë të ngremë një grup pune për të adresuar nëse kemi apo jo një shqetësim të tillë. Në të kundërt, mendoj se propozimi ka të bëjë me një luftë politike të ditës.”

Nga ana tjetër, Bardhi e cilësoi propozimin e tij si një standard etik që lidhet me raportin e deputetëve me opinionin publik.

Përgjigjja e Bardhit

“Unë nuk mendoj se ka deputetë që nuk përmbushin detyrimet e rregullores. Nëse një deputet shmanget nga kjo, raporti i tij është me opinionin publik dhe jo me Kuvendin. Ky është një standard etik që duhet të respektohet.”

Propozimi dhe debati rreth tij pritet të vijojë në seancat e ardhshme, ndërsa palët duket se ndajnë qëndrime të ndryshme për mënyrën e trajtimit të çështjes.