“Nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare”/ Rama: Vetëm në Tiranë çliruam 20 mijë m² hapësira publike
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në rrjetet sociale lidhur me ecurinë e aksionit për çlirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme dhe zaptimet në trotuare. Në një postim në Facebook, ai ka bërë të ditur se vetëm në Tiranë janë çliruar deri tani rreth 20 mijë metra katrorë hapësira publike.
“Sipas planit të punës, vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara,” – shkruan Rama, duke shtuar se kjo është vetëm faza e parë e një operacioni që do të vijojë në të gjithë vendin.
Kryeministri theksoi se aksioni do të shtrihet në të gjitha qytetet ku “ka marrë kot ky fenomen”, si dhe në zonat bregdetare dhe të mbrojtura:
“Puna nuk do të ndalet më, as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen, dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura, jo e jo…”
Rama paralajmëroi gjithashtu se do të ndalohet përfundimisht çdo lloj strukture që ndërtohet mbi trotuare:
“Nuk do të lejohet më asnjë lloj strukture e ndërtuar mbi trotuare.”
Në vijim të nismës për transformimin urban, Rama njoftoi se po punohet paralelisht edhe me fazën e re të programit “Rilindja Urbane 2.0”, ku janë angazhuar arkitektë vendas dhe të huaj për të projektuar hapësira të reja publike, funksionale dhe estetike.
Postimi i Plotë
Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenoment dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo…
Në ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas.
Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.