Këngëtarja e njohur Eni Koçi, e martuar prej gjashtë vitesh me Genc Prevlukajn, ka folur për herë të parë për marrëdhënien e saj me djalin e bashkëshortit nga martesa e tij e mëparshme, Gjinin.
Në një intervistë, Eni zbuloi se ka një raport shumë të mirë me Gjinin dhe se e konsideron atë si një shok, duke theksuar harmoninë që ekziston mes tyre.
“Ai është tip shumë i veçantë, ka një lloj autoriteti dhe ka formuar karakterin e tij. Nuk bëhet pjesë e lojës kollaj, por zakonisht jemi grup kundër Gencit. Është fantastik, kam një raport shumë të mirë, e kam si shok,” tha këngëtarja.
Ajo shtoi se Gjini është një person shumë i rëndësishëm në jetën e saj dhe se që nga fillimi kanë pasur një harmoni të madhe si familje.
Nga ana tjetër, Genc Prevlukaj foli për djalin e tij, duke thënë se, edhe pse ai tashmë është student dhe punon, ende e sheh si djalin e tij të vogël.
“Unë e them shpesh, është edhe njëfarë lloj investitori në qetësinë tonë sepse është djalë i matur shumë, punon, është në fakultet. Unë e ngatërroj, them është djali im i vogël apo djali,” u shpreh Genci në emisionin “The Elite Way”.