Norvegjia dëbon 15 zyrtarë rusë

 

Norvegjia ka dëbuar 15 zyrtarë rusë që i kishte akuzuar për spiunazh. Ministrja e Jashtme Anniken Huitfeldt tha se Norvegjia nuk do të lejojë Moskën të përdorë ambasadën e saj për të kryer “aktivitete të fshehta të inteligjencës”.

Ky është i fundit në një varg dëbimesh ruse që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar. Autoritetet norvegjeze i kishin monitoruar individët “me kalimin e kohës” përpara se të shpalleshin persona non grata – të papranueshëm ose të padëshiruar – thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Norvegjia tha se Rusia përbën “kërcënimin më të madh të inteligjencës” me të cilën përballet vendi dhe se kërcënimi po rritet në sfondin e “përkeqësimit të situatës së sigurisë” të Evropës. Ajo dëboi tre individë që tha se ishin oficerë të inteligjencës në prill 2022, një veprim të cilit Rusia iu përgjigj duke dëbuar tre diplomatë norvegjezë.

Në tetor 2022, policia norvegjeze arrestoi një pedagog universiteti të akuzuar për spiunazh për Moskën. Akademiku, i identifikuar në mediat norvegjeze si shtetasi rus Mikhail Valerievich Mikushin, dyshohet se ishte paraqitur si një brazilian. Ai ka mohuar akuzat ndaj tij. Dhjetra zyrtarë rusë të akuzuar për keqpërdorim të privilegjeve diplomatike për të kryer punën e inteligjencës janë urdhëruar të largohen nga vendet evropiane muajt e fundit , duke përfshirë Irlandën, Holandën, Austria, Republikën Çeke dhe Belgjikën.