Noka sulmon mazhorancën: 11 maji ishte farsë, keni kthyer votimet në tregun e gjësë së gjallë
Në një fjalim në seancën plenare të Kuvendit, Flamur Noka,ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës, duke e cilësuar procesin zgjedhor të 11 majit si një farsë pa asnjë legjitimitet demokratik.
Sipas Nokës, mazhoranca qëndron në pushtet pa mbështetjen reale të votës së qytetarëve, ndërsa theksoi se zgjedhjet nuk përfaqësuan asnjë garë të ndershme mes alternativave politike. Ai akuzoi qeverinë për përdorim të aparateve shtetërorë dhe mbështetje nga grupe kriminale në dëm të opozitës.
“11 maji ishte një farsë elektorale. Pushteti i mazhorancës nuk ka asnjë legjitimitet për sa kohë nuk buron nga vota dhe vullneti i qytetarëve,” deklaroi ai.
Noka e akuzoi qeverinë se ka gjymtuar demokracinë dhe se e ka institucionalizuar tregun e votës, duke e kthyer atë, sipas tij, në një pazare të turpshme si në tregjet e gjësë së gjallë.
“Demokracia është gjymtuar me vullnetin tuaj dhe të sulltanit tuaj. Ajo që ka mbetur është vetëm fasada, ndërsa themelet e pushtetit tuaj qëndrojnë mbi një votë të tjetërsuar,” vijoi ai.
“E kthyet 11 majin në treg votash. Në çdo qytet, aty ku ka pasur dikur treg kafshësh, ju ndërtuat tregje të votës, ku liria dhe zgjedhja u shitën dhe u blenë në mënyrën më të turpshme.”