“Njoftonte për lëvizjet e Oltit”/ Nuredin Dumani nxjerr emrin e një tjetër oficeri policie në seancën e GJKKO
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku ka nxjerrë në skenë emrin e një tjetër oficeri policie, të cilin e akuzon për bashkëpunim me krimin.
Gjatë seancës që po zhvillohet me dyer të mbyllura, Dumani ka deklaruar se oficeri i policisë me inicialet K.G. i ka dhënë informacion një anëtari të grupit të strukturuar kriminal, Henrik Hoxhaj, për lëvizjet e Elton Kilës (i njohur si Olti).
“Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, oficeri njoftonte për lëvizjet e Oltit, ndërsa Hoxhaj më informonte mua për këto lëvizje,” ka thënë Nuredin Dumani gjatë dëshmisë së tij.
Kujtojmë se Nuredin Dumani është një nga të penduarit kryesorë të drejtësisë, i cili ka dhënë dëshmi që kanë çuar në arrestimin e disa personave të përfshirë në krime të rënda dhe në zbardhjen e një sërë ngjarjesh kriminale në vend.
Procesi ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë vijon në GJKKO, ndërsa priten dëshmi të tjera që mund të sjellin zhvillime të reja në këtë çështje.