Njoftimet nga sistemi RASFF, AKU: Janë marrë masa të menjëhershme, produktet nuk janë tregtuar te konsumatori final

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shpreh shqetësimin për përhapjen e informacioneve të pa vërteta mbi njoftimet e ardhura nga sistemi RASFF duke shkaktuar panik tek konsumatorët.

I bëjmë me dije opinionit publik lidhur me menaxhimin e rasteve nga ana e AKU-së për 2 njoftimet e etiketuara nga sistemi RASFF si më poshtë:

Më datë 31.5.2024, nga sistemi RASFF jemi njoftuar për produktin Mozzarella (Treccia di mozzarella pugliese (mozzarella) 200 g) me datë skadence të deklaruar gabim, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje.

AKU mori masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit zyrtar, nga i cili u konstatua se nga 7,2 kg produkt te importuar më datë 15.5.2024, është tërhequr nga tregu dhe bllokuar me destinacion asgjësimin e tij sasia prej 6.2 kg.

Për sa i përket njoftimin të ardhur nga sistemi RASFF më datë 3.6.2024 për produktin në vezë të lëngshme të pasterizuar e cila ka rezultuar me prani të Salmonella spp, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, sqarojmë se:

AKU mori masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit zyrtar, nga i cili u konstatua se nga 12 kg produkt i importuar me datë 10.5.2024 dhe 14.5.2024, është tërhequr nga tregu dhe bllokuar me destinacion asgjësimin e tij sasia prej 8 kg.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në gatishmëri për garantimin e sigurisë ushqimore në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.
Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.