Njëri negociator i shkëlqyer, tjetri drejtues i trafikut të kokainës – zbardhen rolet e Adi Çobës dhe Elvis Doçit në grupin kriminal të Durrësit
Zbardhen detaje të reja nga megaoperacioni i koduar “Ura”, i zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me anti-mafian e Barit, ku u lëshuan 52 urdhër-arreste për anëtarë të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, me bazë në Durrës dhe lidhje të forta në Itali e Holandë.
Sipas dosjes italiane, Adi Çoba, pronar i kompanisë “Felix Vinum”, është një nga figurat kyçe të këtij grupi kriminal. Çoba dyshohet se ka qenë organizatori kryesor i trafikut të heroinës dhe kokainës nga Shqipëria dhe Holanda drejt Italisë. Ai akuzohet se dërgonte korrierë me sasi të mëdha droge përtej kufijve, ndërsa koordinonte edhe ruajtjen, shpërndarjen dhe menaxhimin e parave të trafikut.
Në dokumentet hetimore thuhet se:
“Anëtarët e grupit, secili në mënyrë të vetëdijshme dhe aktive, kryenin funksione të ruajtjes dhe shitjes së substancës narkotike që vinte nga jashtë, për qëllime fitimi, duke pasur gjithashtu detyra të përcaktuara në marrjen e sasive të mëdha të substancave narkotike në portet e Shqipërisë dhe Holandës, duke i ruajtur dhe më pas duke i shpërndarë ato në territorin italian, si dhe duke administruar pagesat dhe logjistikën përkatëse.”
Pjesë e këtij rrjeti është edhe Elvis Doçi, për të cilin i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka deklaruar se ishte “një negociator i shkëlqyer” në marrëveshjet për trafikun e drogës. Ai komunikonte rregullisht me Adi Çobën dhe koordinohej për dërgesat e substancave narkotike.
Sipas hetimeve, grupi me bazë në Durrës kishte krijuar një linjë të rregullt të trafikimit të drogës në Itali, ku pas fitimeve të majme, paratë silleshin në Shqipëri përmes autobusëve të linjës 2-3 herë në javë. Më pas, këto para investoheshin në pasuri të paluajtshme.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK firmosi urdhër-ndalimi edhe për Nexhmedin Danajn, pronarin e “Vlora Cable”, i cili akuzohet për transferta të paligjshme parash dhe dyshohet për përfshirje në skemën e pastrimit të të ardhurave kriminale.