Një vit nga vdekja e Navalnyt, e veja akuzon Putinin: Po fsheh të vërtetën

Në përvjetorin e parë të vdekjes së liderit opozitar rus, Alexei Navalny, e veja e tij, Yulia Navalnaya, ka akuzuar presidentin Vladimir Putin se po përpiqet të fshehë të vërtetën rreth vdekjes së tij në burgun e Arktikut.

Në një video të publikuar këtë të diel, ajo pretendon se Kremlini po mbulon shkaqet reale të vdekjes së bashkëshortit të saj dhe po përpiqet të fshijë kujtimin e tij.

Navalny ndërroi jetë më 16 shkurt 2024, dhe sipas autoriteteve ruse, shkaku ishte një rritje e papritur e presionit të gjakut dhe sëmundje kronike. Megjithatë, familja dhe mbështetësit e tij besojnë se ai u vra me urdhër të Kremlinit, akuza të cilat zyrtarët rusë i mohojnë.

Më 1 mars, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e tij në Moskë, në një nga demonstratat më të mëdha të opozitës në vitet e fundit, pavarësisht rrezikut të arrestimeve.

Në mesazhin e saj, Yulia Navalnaya falënderoi të gjithë ata që kanë nderuar kujtimin e Navalnyt, ndërsa aleatët e tij vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vdekjen e tij.