Një shkëndijë e vogël në oborrin e një banese në periferi të Los Angeles dyshohet si shkak i një zjarri shkatërrimtar, i cili ka përfshirë më shumë se 30 kilometra katrorë tokë dhe ka shkaktuar dëme që vlerësohen në 48 miliardë dollarë. Në më pak se 48 orë, flakët kanë rrëmbyer vila luksoze dhe zona me bimësi të dendur, duke u bërë një nga zjarret më të mëdha dhe më shkatërruese në historinë e qytetit.
Si nisi zjarri
Sipas Shefes së Zjarrfikësve të Los Angeles, Kristin Crowley, zjarri dyshohet se ka nisur aksidentalisht rreth orës 10:00 të mëngjesit të së martës në një oborr të pasëm. Ajo deklaroi: “Zjarri po përhapej me një shpejtësi përtej çdo gjëje që kemi parë… është diçka ndryshe nga çdo gjë që kemi përjetuar ndonjëherë.”
Fillimisht, një shtëllungë e vogël tymi u pa në zonën ku zjarri filloi, por brenda pak minutash ajo u shndërrua në flakë të fuqishme që përfshinë shkurret e thata, të ndihmuara nga erërat e forta dhe kushtet klimatike ekstreme.
Kushtet që përkeqësuan zjarrin
Stuhitë e forta të erës, bimësia e tejrritur dhe moti i thatë janë faktorët kryesorë që e kanë bërë zjarrin të përhapet me një shpejtësi të pazakontë. Videot “time-lapse” të publikuara nga kamerat lokale tregojnë se si tymi i padëmshëm në fillim u shndërrua në një re të zezë të dendur, ndërsa flakët përfshinë zonën.
Parashikimi i paralajmëruar nga zjarrfikësit
Podkasteri dhe komediani Joe Rogan kishte paralajmëruar një skenar të ngjashëm në verën e kaluar, duke cituar një bisedë me një zjarrfikës të Los Angeles. “Një ditë, era do të jetë e duhur dhe zjarri do të fillojë në vendin e duhur, duke përfshirë gjithë qytetin deri në oqean,” kishte thënë ai. Kjo parashikim duket se është bërë realitet, pasi kushtet e pafavorshme mjedisore e kanë bërë zjarrin pothuajse të pakontrollueshëm.
Pasojat dhe masat në vijim
Zjarrfikësit po punojnë pa ndërprerje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Mijëra banorë janë evakuuar, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se përballimi i zjarrit do të kërkojë kohë dhe resurse të mëdha. Ndërkohë, hetimet për shkaqet e sakta të ndezjes së zjarrit vazhdojnë.