“Një plumb mora unë, mami pesë” – Zebërvoki rrëfen ngjarjen tronditëse që i ndryshoi jetën
Aktori dhe ish-banori i “Big Brother VIP”, Marius Dervishi, i njohur si Zebërvoki, ka ndarë një histori tronditëse nga fëmijëria e tij gjatë viteve të trazirave në Shqipëri. I ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ai rrëfeu përballjen e tij me vdekjen, pas një incidenti që ndodhi në vitin 1997, kur ai dhe nëna e tij u plagosën rëndë nga një armë zjarri.
Sipas rrëfimit të aktorit, një komshi që po qëllonte në ajër me kallashnikov e humbi kontrollin dhe, nga një aksident, plumbat përfunduan te Marius dhe nëna e tij. Marius mori një plumb në nofull, ndërsa nëna e tij u godit pesë herë në bark dhe këmbë.
“Unë qëndrova 20 ditë në koma dhe, fatmirësisht, nuk mbaj mend asgjë nga ajo periudhë. Por gjatë gjithë fëmijërisë më është dashur të kryej shumë operacione për shkak të dëmtimit në gjëndrën e pështymës dhe gjuhës sime, që ishte e këputur nga plumbi,” tha ai.
Zebërvoki shpjegoi se, pavarësisht plagëve të rënda, nëna e tij ia doli të mbijetonte pa pasoja të mëdha. “Rëndësi ka që jemi gjallë dhe sot jemi mirë,” shtoi ai, duke theksuar forcën dhe optimizmin që kanë shoqëruar familjen e tij pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme.