Një shpërthim me tritol ka tronditur mbrëmjen e djeshme kryeqytetin. Lënda plasëse është vendosur në një banesë në zonën e Don Boskos në Tiranë. Mësohet se tritoli është vendosur në banesën e Aranit Beqirit, i cili nuk ndodhej në shtëpi në momentin kur ka ndodhur shpërthimi. “Shënjestra” jeton jashtë vendit dhe deri më tani nuk rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm, të paktën në vendin tonë. E vetmja gjë është se për Beqirin, Policia ka nisur një procedim pasi ka nisur rikontruksionin e shtëpisë pa leje.
Kamerat e sigurisë në zonë kanë mundur që të pikasin autorin e ngjarjes, i cili ka qenë i maskuar me një kapuç në kokë. Personi është afruar tek banesa dhe ka hedhur tritolin në oborr, por fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar. Por pamjet e siguruara nuk kanë mjaftuar për të identifikuar autorin e vendosjes së tritolit.
“Më datë 06.11.2024, rreth orës 19:50, në rrugën “Robert Naci”, në oborrin e një banese në ndërtim në pronësi të shtetasit A. B. është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes,”-bën me dije Policia lidhur me ngjarjen e ndodhur.