Një i vdekur dhe 192 të plagosur pas festimeve të PSG-së në Paris, shefi i policisë: Trazira të papranueshme

Pas festimeve të fitores historike të Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve, kryeqyteti francez u përfshi nga trazira të rënda përgjatë bulevardit të njohur Champs-Elysées.

Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nuñez, në një konferencë për shtyp të dhënë paraditen e sotme, i cilësoi ngjarjet e mbrëmshme si “të trishtueshme” dhe “të papranueshme”.

Sipas Nuñez, gjatë trazirave janë bastisur disa biznese, përfshirë një berberhane, një dyqan këpucësh sportive dhe një ekspozitë makinash. Si pasojë, u arrestuan rreth 30 persona.

Në përplasjet mes individëve të dhunshëm dhe forcave të rendit, janë hedhur fishekzjarrë ndaj policisë, duke lënë të plagosur nëntë oficerë. Ndërkohë, 192 qytetarë janë lënduar gjatë incidenteve që pasuan festimet.

“Me shumë trishtim njoftojmë se një person ka humbur jetën,” tha Nuñez, duke shtuar se bëhet fjalë për një 24-vjeçar që vdiq pas një përplasjeje me një automjet. Ende nuk është sqaruar nëse ngjarja lidhet drejtpërdrejt me festimet, por autoritetet kanë nisur hetimet.

Shefi i policisë u bëri thirrje qytetarëve të dallojnë mes tifozëve të vërtetë të PSG-së që festuan me pasion dhe në mënyrë qytetare, dhe individëve që kërkuan konfrontim me policinë.

“Ka një grup të vogël që sa herë ka festime, del vetëm për t’u përleshur me forcat e rendit. Kjo nuk duhet pranuar më,” u shpreh ai. “Është e trishtueshme që një pakicë jep një imazh të gabuar për gjithë tifozët e futbollit.”