Një 33-vjeçar italian sfidon paralizën! Ecën pas 4 vitesh falë neurostimulimit në shtyllën kurrizore
Një sukses i jashtëzakonshëm mjekësor është regjistruar për herë të parë në Itali, ku një pacient 33-vjeçar, i paralizuar prej katër vitesh si pasojë e një aksidenti sportiv, ka arritur të ecë sërish falë një teknike të re neurostimulimi të shtyllës kurrizore.
Pacienti ishte përfshirë në një studim klinik eksperimental, ku iu implantua një neurostimulues në shtyllën kurrizore. Pajisja, pasi u aktivizua, arriti të “zgjonte” disa lidhje nervore të dëmtuara, duke i hapur rrugën një procesi të ngadaltë, por të qëndrueshëm rehabilitimi përmes ushtrimeve të specializuara.
Sipas mjekëve që ndoqën rastin, brenda tre muajve të parë u vu re një përmirësim i dukshëm në lëvizjen e këmbëve dhe në qëndrueshmërinë e trupit. Pas gjashtë muajsh, 33-vjeçari arriti të ngrihet në këmbë dhe të ecë 58 metra për vetëm 6 minuta.
Ekipi i përbërë nga mjekë dhe specialistë të instituteve dhe spitaleve kryesore italiane është shprehur entuziast për këtë arritje. Aktualisht, procedura është ende në fazë testimi dhe për të hyrë në përdorim të gjerë klinik pritet aprovimi nga entet rregullatore.
Metoda e re mund të aplikohet për momentin vetëm te personat paraplegjikë, të moshës nga 18 deri në 55 vjeç, që nuk janë mbipeshë dhe nuk vuajnë nga sëmundje të sistemit nervor qendror.