Nisin Konsultimet Publike për Fazën e Dytë të Vjosës Park Kombëtar


Pas shpalljes së Vjosës Park Kombëtar në Pranverë të këtij viti, grupi i ekspertëve lokalë dhe ndërkombëtarë po punojnë për fazën e dytë të parkut në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, kompaninë e veshjeve për aktivitetet në natyrë Patagonia, IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) si dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Në një nisje të re frymëzuese për të siguruar ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone natyrore të pasur, ka filluar faza e dytë e projektimit të Vjosës Park Kombëtar me konsultimet publike për të përfshirë komunitetin dhe palët e interesit që ndikojnë dhe ndikohen në zonën përreth Vjosës.
Të gjitha takimet do të mbahen nga ora 09.00 në mëngjes deri më 14.00 në drekë në Përmet, Gjirokastër, Tepelenë dhe Vlorë duke nisur nga data 6 deri në datë 9 shtator 2023.

Konsultimet publike janë një hap i rëndësishëm drejt një procesi të drejtë gjithpërfshirës në marrjen e vendimeve të duhura për mjedisin përreth Vjosës dhe komunitetin.
Rëndësia e konsultimeve publike është e dyfishtë. Së pari, ato sigurojnë që zëri i komunitetit dhe palëve të interesuara të dëgjohet dhe të merret parasysh në hartimin e planit përfundimtar. Ky proces promovon transparencë dhe përgjegjshmëri në mënyrën se si projekti do të zhvillohet. Së dyti, konsultimet publike ndihmojnë në identifikimin e çështjeve dhe shqetësimeve të ndryshme që mund të lindin gjatë implementimit të projektit, duke lejuar për përmirësime në fazën fillestare të planifikimit.