“Nisim një betejë që do ta fitojmë” – Berisha pas humbjes në zgjedhje: 11 maji nuk qëndron, do rrëzojmë këtë farsë elektorale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur drejtuesit politik pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, duke u kërkuar atyre të mbledhin fakte për krimin elektoral në qarqet e tyre.

Berisha deklaroi se ka nisur një betejë për votën e lirë dhe se këto zgjedhje, sipas tij, “de fakto rrëzohen dhe nuk qëndrojnë”. Ai theksoi se protesta e 16 majit do të jetë një mesazh sensibilizues për ndërkombëtarët, për t’u treguar se Shqipëria po shndërrohet në një narko-shtet.

Berisha: Detyra, numër 1 në këtë fazë  është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja. Të gjithë ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja. Çdo evidentim, pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve është betejë për faktin vendimtar të Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare. Është betejë të cilën në do ta fitojmë sepse nuk ka shqiptar që e njeh veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij sesi me vendime qeverie u grabitjen zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën.

Nuk ka detyrë mbi cdo detyrë tjetër është dokumentimi, me vertetësi dhe dokumente të plotë. Ne nisim një betejë që do ta fitojmë. Do ta fitojmë sepse këto krime elektorale janë të paralajmëruara dhe denoncuar në rezoluta ndërkombëtare.

De fakto këto zgjedhje rrëzohen, nuk qëndrojnë, por tani është radha jonë të dorëzojmë, të faktuar të gjithë batërdinë elektorale të regjimit në zgjedhjet e 11 majit.

Më 16 fillon protesta për një sensibilizim të udhëheqësve evropianë që vijnë në Shqipëri, se ndodhen në një narko shtet që nuk respekton asnjë rregull dhe asnjë parim të votës së lirë.