Nis sot rinumërimi i votave, pritet të hapen 43% e kutive në 4 qarqe!
Nis rinumërimi i votave mëngjesin e sotëm në Pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë. Do të rinumërohen 2.323 kutitë e votimit nga zgjedhjet e 11 majit, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Procesi i rinumërimit do të nisë me 94 kutitë e bashkive Peqin dhe Gramsh të qarkut të Elbasanit (së bashku me kutitë e materialeve zgjedhore), për të vijuar me Tiranën (1.282 kuti), më pas Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora.)
Procesi do të realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). Rinumërimi parashikohet që të zgjasë deri në 1 muaj, për shkak të numrit më të ulët të tavolinave krahasuar me numërimin fillestar më 11 maj.
KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit. Paratë do të shpenzohen për sistemin online të raportimit, logjistikën dhe materialet ndihmëse. Të pranishëm do të jenë edhe vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.
Me hapjen e 94 kutive në bashkitë Peqin dhe Gramsh do të krahasohen fletët e votimit me materialet zgjedhore. Në qarkun Tiranë, do të numërohen të gjitha votat si për partitë ashtu edhe për kandidatët. Edhe në qarkun e Fierit po ashtu. Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.