Nis sot Konferenca e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”

Ambasadorët dhe Konsujt e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë mblidhen këtë të hënë në Tiranë.Ministri i Jashtëm, Igli Hasani njoftoi një ditë më parë se konferenca e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” do të ketë në fokus sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.

Ky aktivitet do të zgjasë tre ditë dhe do të ketë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë 🇦🇱 mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim tre ditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.Bashkohuni me ne, për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare!”, shkruan ministri Igli Hasani në rrjetet sociale.

Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të Shqipërisë në botë.