Nis projekti projekti transformues, në Pogradec/ Rama inspekton punimet: E kthejmë në një destinacion edhe më të preferuar për turistët

Në Pogradec po punohet në kantierin e hapur të tre projekteve të integruara, Shëtitores së Tushemishtit, Parkut të Drilonit dhe rrugës së aksesit deri në pikën doganore të Tushemishtit.

Për të parë në terren, ecurinë e transformimit të një prej destinacioneve simbol të Pogradecit, Drilonin, ishte sot Kryeministri Rama së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli, Drejtorin e FSHZH Dritan Agolli, si dhe inxhinierë e drejtues punimesh.

“MIRËMËNGJESI dhe nga kantieri i transformimit të Shëtitores së Tushemishtit dhe Parkut të Drilonit në Pogradec, që shumëfishohet në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi të lundrueshme me varkë, 3 parkime me 550 vende për automjete, e gjitha një zonë e aksesueshme deri në Zagorçan, për të përfunduar në pikën doganore duke e kthyer portën hyrëse të qarkut Korçë, në një destinacion turistik akoma më të preferuar për vizitorët vendas e të huaj, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

“Në këtë zonën këtu janë tre projekte që janë të integruara. Një është projekti që është financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, që ka të bëjë me gjithë pjesën e Drilonit brenda. Projekti i dytë që është komplementar me të, është projekti qe financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që është shëtitorja e Tushemishtit së bashku me molet dhe pasarelën dhe rrugën e aksesit deri në pikën doganore të Tushemishtit, është dhe bypass-i i Tushemishtit që financohet përsëri nga Fondi Shqiptar dhe BB, për devijimin e trafikut, – pasi këtu do të bëhet shëtitore e gjitha, do jetë pedonale, – nga fshati, duke e lidhur me pikën doganore, për të cilën mbyllëm procesin e shpronësimeve dhe fillojmë nga puna brenda javës.”- shpjegoi Drejtori i FSHZH Dritan Agolli ndërsa theksoi se “ aktualisht jemi në fazë të avancuar punimesh të të dyja kontratave.”

Projekti transformues, jo vetëm ngre në një tjetër standard infrastrukturën në tërësi, por edhe sjell risi arkitekturore, duke e bërë më tërheqëse dhe më të aksesueshme hapësirën publike.

“Dy janë mole që mund të ankorohen varkat dhe dy të tjerat janë mole për turistët, për vizitorët. Ajo që është e rëndësishme është dhe një pasarelë, futet në liqen, ecën nëpër liqen dhe lidhet prap me molin tjetër që ka për të qenë një rrugë që njerëzit të mund të ecin në liqen. Po ndërkohë dhe rruga nga Tushemishti deri në doganë, është rrugë që po zgjerohet, rikonstruktohet, ka trotuar, korsi biçikletash. Bëhet një rrugë turistike njëlloj si pjesa e parë.” – detajoi Drejtori i FSHZH Agolli, teksa shtoi se: “Sezonin tjetër kjo do të ketë marrë formë, mund të kenë ngelur gjëra të vogla. Shpresojmë që në harkun kohor të 3 muajve ne të mbyllim bypass-in, se e shkurtër është si rrugë, në mënyrë që të devijojmë trafikun dhe kalojmë me shtresën e fundit, gjelbërimin dhe ndriçimin. Pjesa tjetër e punimeve, punimet nëntokësore kanë mbaruar të gjitha.”

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit do të shumëfishohet në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë, do të ketë 3 parkime me 550 vende për automjete, e gjitha një zonë e aksesueshme deri në Zagorçan, për të përfunduar në pikën doganore të Tushemishtit.

“Në krahasim me çfarë ka qenë më përpara e shumëfishojmë sipërfaqen, nga rreth 10-15 hektarë që ishte, sipërfaqja shkon 150 hektarë. Të gjitha në funksion të turizmit me lëvizje të kufizuara automjetesh, me ndriçim, mobilim urban që vizitohet në çdo periudhë të ditës, mundësisht në çdo periudhë të vitit. Kjo është 1 nga 13 urat e reja që janë në ndërtim. 11 kanë mbaruar. Urat janë bërë me një lartësi rreth 1.7 metra në mënyrë që aksesi dhe lundrimi me varka të jetë pa probleme. Edhe pak fillojmë me përfundimin e gjelbërimit. Do kemi rreth 7-8 mijë shkurre dhe pemë, përveç barit. Gjatësia e lundrueshme me varkë mendohet do jetë diku 4-5 km nëpër kanale të navigueshme me varka të llojeve të ndryshme që do jetë risi dhe për zonën sepse do jetë e aksesueshme deri në Zagorçan, edhe me varkë edhe me këmbë sepse është një sipërfaqë rreth 870 metra linearë e pashkelur që i shtohet parkut. Besoj brenda muajit janar mbarojmë dhe ndriçimin në të gjithë zonën që të jetë e aksesueshme edhe ditën, edhe natën. – shpjegoi drejtuesi i punimeve, ndrësa theksoi se “shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tre parkimeve në dalje që akomodojnë rreth 550 automjete. Njerëzit do të shëtisin me biçikleta, me varka, me mjete alternative.”