Nis monitorimi me kamera inteligjente në autostrada. Ja pikat ku janë vendosur, gjobat …

Shumë shpejt autostradat kryesore në vendin tonë do të monitorohen me kamera inteligjente  si dhe me anë të vendosjes së sistemeve të monitorimit do të nisë edhe gjobitja e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Kur ndodh një shkelje rrugore, kamerat inteligjente regjistrojnë automatikisht të dhënat dhe fotot përkatëse. Më pas, këto informacione analizohen nga operatorët dhe i transmetohen Policisë së Shtetit. Kjo e fundit verifikon rastin dhe liron gjobën përkatëse, e cila i shkon drejtëpërdrejt drejtuesit të mjetit në sistemin elektronik të gjobave,” tha Marin Bezhani – Drejtor i Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut (QKMT).

Por cilat janë pikat që monitorohen aktualisht?

“Monitorimi po kryhet në fazë testimi në disa pika të zgjedhura strategjike, përfshirë: Golemin pranë stacionit të trenit, mbikalimin e Spillesë 1 dhe Spillesë 2, zonën e njohur si ‘Zham Sektor’, si dhe në Bishtin e Zhurit dhe Rrogozhinë. Përveç këtyre, testime po zhvillohen edhe në disa akse të tjera rrugore kryesore në vend.”

Synimi final është mbulimi i 3,650 km që janë aset i inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe ndërlidhja me projektin “smart city”.

Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është aktualisht në fazën përfundimtare të testimeve softuerike dhe teknike, ndërkohë që po finalizohet edhe infrastruktura fizike në terren për 200 kilometrat e parë të akseve rrugore kryesore.