Nis kortezhi funebër i Kryepeshkopit Anastas nga Athina drejt Shqipërisë

Nga Katedralja e Athinës, nën tingujt funebër të bandës së marinës greke, u nis sot kortezhi i Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, për t’u përcjellë drejt vendit tonë. Qindra besimtarë morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në kryeqytetin grek, duke ndjekur nga afër meshën e mbajtur në gjuhën shqipe – një kërkesë e bërë nga bashkëpunëtorët e afërt të Kryepeshkopit dhe e miratuar me leje të posaçme nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Greke.

Pas përfundimit të ceremonisë, arkivoli u përcoll nga duartrokitjet e pranishmëve, të cilët nderuan punën dhe veprën e Kryepeshkopit Anastas. Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, e përshkroi atë si një “njeri të madh të paqes dhe vëllazërimit.”

Trupi i Kryepeshkopit pritet të mbërrijë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës. Gjatë rrugës, kortezhi do të ndalojë në disa prej zonave ku ai ka shërbyer dhe ka kontribuar për rindërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.