“Nipi im nuk flet, është shokuar”- Vrasja e 14-vjeçarit, gjyshja e shokut të Martinit shpërthen në lot: S’kam guxim ta pyes djalin!

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku 14-vjeçari Martin Cani u vra para shkollës me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar, prindër dhe shokët e të miturit janë shprehur të tronditur nga ngjarja.

Në një prononcim për mediat jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, gjyshja e një prej miqve të Martinit ka shpërthyer në lot teksa ka treguar se nipi i saj është shokuar nga ngjarja dhe nuk ka folur që prej ditës së djeshme.

 “Kam nipin në klasë paralele. Nuk e di si është…nuk kam guxim ta pyes. Që mbrëmë deri sot, nuk kemi…E priste nëna në shtëpi për drekë ku vajti ai fëmijë, ku i vajti. Ku ishte përgjegjësia e mësuesve, e rojeve te dera, e shokëve, prindërit duhet ta mësojë fëmijën ta dojë shokun, të respektojë mësuesen, më të madhin, jo kështu.


Është bërë nuk e di ç’të të them. Nipi im ka ngrirë komplet, nuk flet. Është shokuar. Ka ardhur në shkollë, do e marr në telefon, se di nëse kanë bërë mësim”, tregoi ajo mes lotësh.

Shokët e shoqet e klasës së 14-vjeçarit kanë vendosur foto të tij dhe karafila në vendin ku ndodhi krimi, pranë shkollës “Fan Noli” ku ndodhi sherri i përgjakshëm mes bashkëmoshatarëve.

“Qofsh i xhenetit vëllai jonë”, shkruhet në fotot e viktimës të vendosura në vendin e krimit.

Ndërkohë bashkëmoshatarët e tij kanë vendosur buqeta me lule në bankën e klasës ku ulej 14-vjeçari, e cila sot është bosh.

Ndërkohë policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, 14 vjeçarin me iniciale M. P., ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.

Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

NGJARJA

Martin Cani, 14-vjeçar, ishte nxënës i shkollës “Fan Noli”, por ai ishte i aktivizuar edhe me futbollin, në klubin e “Dinamos” me moshat. Djali që kishte ëndërr të bëhej futbollist bashkë me shokun e tij, bien pre e një sulmi brutal të bashkëmoshatarëve të tyre.

Ndonëse policia ka bërë me dije se në sherr janë përfshirë vetëm 4 nxënës, në fakt dëshmitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se kanë qenë të paktën 7 fëmijë, ku i bie që grupi i dhunuesve të kenë qenë të paktën 5 persona.

Grupi që ka sulmuar, fillimisht është përleshur me dy djemtë, Martinin dhe Luisin dhe më pas kanë nxjerrë thikat, duke e goditur Martinin disa herë në pjesën e barkut, ku një goditje fatale iu ka dhënë në zemër.

Djali u mor i gjallë nga vendi i ngjarjes nga një grua, e cila më pas tregoi detaje rrëqethëse, ku edhe pas ngjarjes, ajo tregoi se atletet e Martinit i kishte në makinën e saj.