Në vijim të vizitës në Gjermani, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Presidentin e Parlamentit të Landit të North Rhine-Westphalia, NRW, André Kuper. Në takim mori pjesë edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi.
“Ne jemi të përkushtuar për të avancuar më tej marrëdhëniet politike dhe dypalëshe, si në nivel federal, ashtu edhe me landet. Kuvendi dhe Landtagu i NRË mund të ndërtojnë një proces bashkëpunimi midis komisioneve parlamentare dhe deputetëve, sidomos deputetëve të rinj, i cili do të nxisë marrëdhëniet edhe mes institucioneve të tjera dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në ekonomi e sektorë të tjerë. Si një nga rajonet më të fuqishme ekonomike në Evropë dhe rajoni numër një industrial në Gjermani, bashkëpunimi me Landin NRË është një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Ambasada e Shqipërisë ka propozuar nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për t‘i hapur rrugën projekteve konkrete nga Landi NRË në Shqipëri dhe në këtë proces mund të kontribuojnë edhe Kuvendi dhe Landtagu. Kemi mundësi të gjera bashkëpunimi në sektorë si shërbimet e transportit, infrastruktura, industria, turizmi, arsimi, SME-të etj. Mund të mbështesim edhe bashkëpunimin mes Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si dhe organizimin e forumeve te biznesit.”, theksoi Kryetarja Nikolla.
Nikolla vuri në dukje gjithashtu se bashkëpunimi shqiptaro-gjerman po intensifikohet edhe në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe Samiti që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë është një ngjarje historike për evropianizimin e rajonit, por edhe për bashkëpunimin dypalësh.