Nikël/ I vihet eksploziv një banese, por nuk aktivizohet! Policia sekuestron 2 kallëpe tritoli
Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Nikël, ku një sasi eksplozivi është vendosur pranë një banese, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Ngjarja ka ndodhur dy netë më parë në lagjen Zezë, ndërsa lënda plasëse dhe fitili zjarrpërcjellës janë sekuestruar nga policia.
Sipas informacioneve, pronari i banesës, 51-vjeçari Sh. Mehmeti, ka bërë denoncimin në polici pasi ka gjetur eksplozivin pranë rrethimit të jashtëm të shtëpisë së tij.
“Janë sekuestruar 2 kallëpe lëndë plasëse dhe fitil zjarrpërcjellës, të cilat do të ekzaminohen për të zbuluar origjinën dhe autorët,” njofton policia.
Burime bëjnë me dije se Mehmeti nuk njihet si person problematik dhe nuk ka pasur konflikte të hapura me askënd, çka e bën edhe më të vështirë zbardhjen e ngjarjes. Hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor po analizon kamerat e sigurisë dhe mundësitë e ndonjë konflikti të fshehur.