Ngushtica e Hormuzit në prag bllokade? BBC: Një lëvizje që mund të trondisë tregjet dhe ekonominë globale
Në mesin e tensioneve të rritura pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, spekulimet për një hakmarrje nga Teherani janë intensifikuar.
Sipas një analize të publikuar nga BBC, një nga masat më ekstreme që Irani mund të ndërmarrë është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Ky veprim do të kishte pasoja të thella për ekonominë globale, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe duke kërcënuar stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare.
Çfarë është Ngushtica e Hormuzit dhe rëndësia e saj strategjike?
Ngushtica e Hormuzit ndodhet midis Iranit në veri dhe Omanit e Emirateve të Bashkuara Arabe në jug, me një gjerësi mesatare prej 50 km, por që ngushtohet në afro 33 km në disa pika. Përmes saj kalon rreth 20% e naftës dhe gazit të konsumuar globalisht – mbi 20 milion fuçi naftë në ditë sipas Agjencisë Amerikane për Informacionin e Energjisë (EIA). Ky korridor është vital për eksportet e naftës të shteteve si Arabia Saudite, Iraku, Kuvajti dhe Emiratet.
Pasojat ekonomike të mbylljes së ngushticës
Bllokimi i kësaj rruge do të rriste ndjeshëm çmimet e naftës, do të rritej kostoja e prodhimit dhe transportit të mallrave në rang global dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në inflacionin botëror. Vendet më të prekura do të ishin ato që varen nga nafta e Gjirit, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut. Sipas analizës së BBC-së, Kina importon rreth 90% të naftës që Irani eksporton, ndërsa India dhe Japonia marrin përmes Hormuzit pjesën dërrmuese të furnizimeve të tyre me naftë dhe gaz.
A është i realizueshëm bllokimi?
Ekspertët mendojnë se Irani mund të vendosë mina detare ose të përdorë mjetet e tij detare dhe nëndetëse për të penguar trafikun. Megjithatë, BBC thekson se SHBA dhe aleatët e saj kanë kapacitete ushtarake për të ndërhyrë dhe për të garantuar hapjen e rrugëve ujore, siç kanë bërë edhe në të kaluarën gjatë “luftës së tankerëve” në vitet ’80.
Si do të reagojnë fuqitë e tjera?
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se një bllokadë e Hormuzit do të ishte “vetëvrasje ekonomike” për Iranin, dhe u bëri thirrje vendeve si Kina të ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe analistët e BBC-së theksojnë se Pekini nuk ka interes për destabilitet në këtë rrugë jetike për ekonominë e tij.
Rrugët alternative të eksportit të energjisë
Shtetet e Gjirit kanë zhvilluar rrugë alternative për të anashkaluar Hormuzin, si tubacioni lindje-perëndim i Arabisë Saudite dhe linja Fujairah e Emirateve, por këto mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të naftës që kalon përmes ngushticës. Edhe Irani ka ndërtuar tubacionin Goreh-Jask drejt Gjirit të Omanit, por ende nuk operon në kapacitet të plotë.