Ngjarje e turpshme në Vlorë! Tifozët e Flamurtarit pushtojnë fushën dhe godasin trajnerin Çela pas humbjes me Besën
Një ngjarje e rëndë dhe e turpshme ka ndodhur këtë të shtunë në Vlorë, pas ndeshjes së Kategorisë së Parë midis Flamurtarit dhe Besës, e cila përfundoi me rezultatin 0-2 në favor të miqve nga Kavaja.
Pas vërshëllimës përfundimtare, një grup tifozësh të Flamurtarit kanë pushtuar fushën dhe në një akt të dhunshëm kanë goditur trajnerin e Besës, Emiljano Çela. Ngjarja ndodhi në momentin që lojtarët e Besës po festonin fitoren në anën tjetër të fushës, ndërsa tekniku Çela ndodhej ende aty pranë pankinës.
Policia ka ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e dhunës në stadiumin “Flamurtari”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv, ndërsa pritet që Federata Shqiptare e Futbollit të marrë masa ndaj incidentit të ndodhur.