Ngjarje e rëndë në Elbasan! Mbytet në lumin Shkumbin një fëmijë 6-vjeç

Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së martës në qytetin e Elbasanit, ku një fëmijë vetëm 6 vjeç ka humbur jetën pranë lumit Shkumbin.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, ngjarja është raportuar rreth orës 19:50 të datës 10 qershor 2025, kur një qytetare me inicialet D. A. njoftoi për zhdukjen e nipit të saj, i cili nuk ishte kthyer në shtëpi prej më shumë se tre orësh. Pas këtij sinjalizimi, forcat e rendit nisën menjëherë kërkimet.

Rreth orës 21:30, pas disa orësh kërkimesh intensive, efektivët e Policisë gjetën trupin e pajetë të të miturit pranë lumit Shkumbin, në lagjen “Çezme”.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:50 të datës 10.06.2025, ka njoftuar shtetasja D. A. se prej 3 orësh, kishte humbur nipi i saj 6-vjeçar. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e të miturit dhe rreth orës 21:30, kanë gjetur trupin e pajetë të tij, buzë lumit Shkumbin, konkretisht në lagjen “Çezme”.

Gjatë këqyrjes paraprake të trupit të të miturit, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga hetimet e deritanishme, dyshohet se ai është mbytur në lumë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.