Ngjarja tronditëse në Vlorë/ 17-vjeçarja tenton vetëvrasjen pasi i ati i kërkoi të…

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur ditën e sotme në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, ku një vajzë 17-vjeçare ka tentuar të vetëvritet duke qëlluar veten me armë zjarri në banesën e saj. E reja jetonte me gjyshërit, pasi prindërit e saj janë të divorcuar. Sipas informacioneve, babai i saj, i cili jeton me bashkëshorten e re në një fshat pranë Vlorës, i kishte kërkuar vajzës që të transferohej dhe të jetonte me familjen e tij të re.

Kjo kërkesë ka shkaktuar tension dhe kundërshtim të fortë nga ana e të resë, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, nën presion dhe pa gjetur një zgjidhje tjetër, ka marrë një armë zjarri dhe ka tentuar t’i japë fund jetës duke qëlluar veten me pistoletë.

Menjëherë pas ngjarjes, 17-vjeçarja u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Vlorës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, mjekët vendosën ta transferonin urgjentisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim më të specializuar.