Ngjarja në Astir! Zbulohen emrat e pesë të kërkuarve, në pyetje merren tre vajza

Gazetarja e kronikës Aida Topalli raporton ekskluzivisht emrat e pesë të kërkuarve.

Të cilët siç bëhet me dije nga burime shumë të sigurta janë shtetasit Skerdi Sina, Ogert Alia, Joni Sadikaj, Arnold Jaho dhe Anduel Alia.

Ka qenë vetë vajza e re, e cila ka denoncuar rastin në polici, më pas ngjarja alarmoi zonën e Astirit, për shkak se pas denoncimit vajza nuk hapte derën, por është dashur ndërhyra e forcave speciale për t’u futur në apartament.

Brenda apartamentit janë gjetur armë zjarri, qese me shishe alkooli, pije energjike të konsumuara dhe një mjet identifikimi.

Njoftimi i policise

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.

Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.

Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.