Ngërçi politik në Kosovë, Albin Kurti pas takimit me Presidenten Osmani: Do të bëjmë çmos që Kuvendi të konstituohet deri në fund të korrikut

Në mes të një situate të paqartë politike në Kosovë, kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një takim dyorësh me presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të Kuvendit të ri.

Pas takimit, Kurti doli para mediave ku theksoi se synimi kryesor është që Kuvendi të konstituohet brenda afateve ligjore, konkretisht në javën e fundit të korrikut, duke ruajtur frymën e bashkëpunimit dhe konsensusit ndërpartiak.

“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pas të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, në takim me presidenten Osmani janë diskutuar të gjitha elementet përbërëse të procesit të konstituimit, përfshirë edhe nevojën për dakordësi mes subjekteve politike që do të përfaqësohen në Kuvend.

Kurti nënvizoi gjithashtu se duhet pritur përfundimi i takimeve të tjera që presidentja pritet të zhvillojë me përfaqësuesit e partive politike, për të kuptuar nëse mund të arrihet një përparim i mjaftueshëm në këtë drejtim.

“Besoj duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim cili është progresi”, shtoi ai.