Nga zhytjet në Sarandë te trafikimi i kokainës në Norvegji! 48-vjeçari i kërkuar për vdekjen e turistes britanike dënohet me 15 vite burg, babai i viktimës i zhgënyer
Një ngjarje tragjike që ndodhi në ujërat e Sarandës dy vite më parë vazhdon të lërë pasoja të rënda për familjen e viktimës, ndërsa personi kryesor i dyshuar për këtë rast është dënuar në një tjetër vend për një vepër të ndryshme penale.
Zhdukja e instruktori të zhytjes pas vdekjes së turistes britanike
Saimir Kushova, 48 vjeç, një instruktor zhytjeje nga Shqipëria, ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare në lidhje me vdekjen e turistes britanike Rebecca Gannon, 29 vjeçe, e cila humbi jetën gjatë një ekspedite zhytjeje në shtator të vitit 2022. Ai dyshohej për shkelje të rregullave të sigurisë, por arriti t’i shmangej drejtësisë shqiptare dhe u zhduk pas ngjarjes.
Pasi u largua nga vendi, Kushova përfundoi në Norvegji, ku u përfshi në një rrjet të madh trafiku droge. Në prill 2023, autoritetet norvegjeze e arrestuan atë së bashku me pesë shqiptarë të tjerë, nën akuzën e trafikimit të 150 kg kokainë. Ai u dënua me 15 vite burg, por për babain e viktimës, kjo nuk është e mjaftueshme. Ai kërkon që Kushova të përballet edhe me drejtësinë për vdekjen e së bijës.
Babai i viktimës: Nuk do të ndalem derisa të dënohet për vdekjen e Rebeccës
George Gannon, 63 vjeç, babai i Rebeccës, ka kaluar tre vite në Shqipëri duke kërkuar drejtësi për të bijën. Ai shprehet i dëshpëruar për vonesat e autoriteteve shqiptare dhe fakton se Kushova arriti të largohej dy herë nga qelitë e paraburgimit në Shqipëri para se të përfundonte në Norvegji.
“Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi. Ka qenë e vështirë. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është në burg në Norvegji. Ky njeri është përgjegjës për vdekjen e vajzës time dhe ai duhet të jetë në gjykatë,” është shprehur ai për MailOnline.
Ai tregon se nuk ishte në dijeni që Kushova ishte arrestuar dhe dënuar në Norvegji, derisa mësoi për këtë vetëm pak muaj më parë. Sipas tij, është e papranueshme që ai të mos jetë gjykuar ende për vdekjen e së bijës, ndërkohë që është dënuar për trafik droge.

Kushova, pjesë e bandës shqiptare të përfshirë në kontrabandën e kokainës në Norvegjinë perëndimore