Nga stadiumi te skuadra, Idrizi: Një investim dinjitoz për Flamurtarin në Superligë

Presidenti i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ka konfirmuar një investim të rëndësishëm që do të përfshijë si fushën e stadiumit, ashtu edhe ambientet përreth tij. Ndërhyrja do të prekë tribunën qendrore, ambientet ndihmëse, si edhe vendosjen e një ore elektronike moderne.

Sipas Idrizit, qëllimi është që çdo gjë të jetë gati brenda muajit gusht, kur nis edhe sezoni i ri futbollistik.

Paralelisht me ndërhyrjet në stadium, pritet të nisë edhe një tjetër investim në zonën e Pyllit të Sodës, ku do të ndërtohet një stadium ndihmës për Flamurtarin, si dhe fusha të tjera sportive.

Kjo bëhet edhe në funksion të faktit se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e stadiumit të ri, në vendin ku ndodhet aktualisht impianti ekzistues.

Rikthimi në Superligë do të sjellë një Flamurtar më cilësor, që synon të jetë konkurrues në të dy frontet. Presidenti Idrizi ka theksuar se nuk do të kursehet financiarisht për ndërtimin e një skuadre dinjitoze.

Sezoni i ri starton më 23 gusht dhe Flamurtari pritet të ketë jo vetëm një ekip cilësor, por edhe ambiente bashkëkohore, një investim që realizohet tërësisht nga vetë klubi vlonjat.