Nga Shqipëria në Tajlandë, kapet në Francë me 44 kg marijuanë 21-vjeçarja shqiptare

Një 21-vjeçare shqiptare është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar të Lyon Saint-Exupéry në Francë, pasi u kap me 44 kilogramë marijuanë, të cilën po përpiqej ta transportonte nga Tajlanda drejt Europës.

Sipas raportimit të gazetës franceze Le Progrès, e reja kishte udhëtuar nga Shqipëria drejt Bangkokut, ku kishte marrë ngarkesën narkotike për t’ia sjellë një çifti të panjohur që i kishte dhënë udhëzime përmes mesazheve të koduara. Pasi mori sasinë e drogës, ajo udhëtoi në kthim përmes aeroportit të Lionit, ku u identifikua dhe ndalua nga zyrtarët doganorë.

Pas arrestimit, e reja shqiptare është vënë në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës në muajin korrik, ku do të përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.