Nga SHBA në Shqipëri /“ MAFIA Make Albania Free Again: Pankarta që dominon në protestën e opozitës
Opozita proteston sot në orën 18.00 para Kryeministrisë, një tubim i paralajmëruar të jetë ndryshe nga herët e kaluara, pa fjalime por me aksione konkrete në terren. Lidershipi i opozitës ka deklaruar se sot nis mosbindja civile. PD dhe partitë e saj aleate thirrën protestën kombëtare pas burgosjes së Ervin Salianjit. Opozita e konsideron drejtësinë të politizuar, ndërsa një nga kërkesat e forta të tyre mbetet qeveria teknike e cila do të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025-ës. Në këto momente mbështetësit e PD janë mbledhur në oborrin e selisë blu dhe më pas pritet që ata të marshojnë drejt Kryeministrisë. Protesta e sotme nuk pritet të ketë fjalime, ndërsa skenari më i përfolur është ai i bllokimit të akseve rrugore dhe kryeqëzimeve më të rëndësishme të Tiranës.
Zhvillimet minutë pas minute nga protesta.
Ora 18.30 Opozita nis mosbindjen civile, protestuesit bllokojnë automjetet, paralizohet qarkullimi pranë Bashkisë së Tiranës
Protestuesit e opozitës kanë bllokuar rrugën nga Ministria e Brendshme drejt Bashkisë së Tiranës. Pati përplasje edhe mes protestuesve e drejtuesve të automjeteve. Policia ka ndërhyrë duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ora 18.15 Të rinjtë e FRPD, të parët që marshojnë drejt Kryeministrisë
Mbështetës të opozitës të mbledhur në oborrin e selisë së PD-së janë nisur drejt Kryeministrisë, atje ku në rreshtin e parë të rrethimit policor janë vendosur policë me skafandra dhe kokore, duke zhvendosur në këtë mënyrë efektivët e rendit. Turma e mbështetësve udhëhiqet nga të rinjtë e FRPD-së, anëtarët e Kryesisë së PD, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë të opozitës. Ata mbajnë në duar një pankartë ku është stampuar një foto e kryeministrit Edi Rama dhe shkruhet në gjuhën angleze: Mafia = Bëje Shqipërinë të lirë përsëri.