Nga raportet e ngrira bashkëshortore te konfliktet politike, zbulohen shkaqet që çuan në divorc çiftin Meta-Kryemadhi, VOA: Prej muajsh, s’jetonin bashkë
Presidenti i PL-së njoftoi mbrëmjen e djeshme ndarjen zyrtare nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.
Megjithatë raportet e tyre bashkëshortore të ngrira janë paralajmëruar edhe më herët ku ka qenë Monika Kryemadhi e cila në muajin prill është shprehur se ka një raport të ngrirë me Metën për të shkak të konfliktit në parti. Por në atë kohë ajo shtonte se konfliktet mes tyre kanë qenë vetëm politike.
“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, ka ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi këto konflikte parimore, morale midis njëri-tjetrit. Konfliktet tona janë vetëm konflikte politike.
Patjetër që reflektohen sepse në qoftë se ne jemi dy njerëz të cilët punojmë nga mëngjesi deri në darkë në politikë, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme edhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë, është që njeriu sa të rrojë do të mësojë.
Mendjelehtësia më e madhe si te burrat, edhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetër, por kjo nuk ndodh. Pse nuk ndodh? Nuk ndodh sepse marrëdhënia morale është shumë më e rëndësishme se marrëdhënia financiare“, tha Kryemadhi në një studio televizive.
Ndërkaq teksa ka kaluar kohë, që nga nisja e marrjes në pyetje të çiftit Meta Kryemadhi, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, të pasuara më tej me akuza e kundër akuza, e deri tek një distancim i tyre, duket se tashmë kemi një përgjigje përfundimtare.
Ish Presidenti, njëherësh kreu i Partisë së Lirisë, tha mbrëmë në një studio televizive se ka ngritur një kërkesë padi, për divorc, nga bashkëshortja dhe ish partnerja politike, Monika Kryemadhi.
Në kërkesë padinë e ngritur, që mban datën 20 qershor 2024, duket qartë se edhe adresat e banimit nuk janë më të njëjta. Çka përforcon faktin se me të vërtetë Meta dhe Kryemadhi janë në një krizë të thellë të marrëdhënies së tyre.
Ky vendim i Metës, vjen ndër të tjera edhe pas deklaratës së Kryemadhi bëri, kur tha se SPAK duhet mëbshtetur, të cilës kreu i PL ju përgjigj me ironi duke thënë se këto këto janë deklarata baxhellash.
Nga ana tjetër kujtojmë se ish kryeministri herë pas here në daljet e tij publike hedh akuza të rënda ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe kreut të saj, Altin Dumani. Ndërsa pyetjes së prokurorëve në paraqitjen e fundit në SPAK, për shifrat e shpenzuara nga Kryemadhi, Meta u shpreh se nuk ka dijeni.
Qëndrimet dhe pikëpamjet e ndryshme sipas Metës u bënë prezente edhe në raportin bashkëshortor deri sa kohet e fundit këto mospërputhje ka sjelle si pasojë ‘grindje të herëpashershme duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore’.
“Aktualisht prej disa muajsh marrëdhënia bashkëshortore është ndërprerë edhe në kuptimin e bashkëjetesës duke sjellë si pasojë humbjen e qëllimit të kësaj martese në të gjitha drejtimet.
Ne këto kushte i kërkoj gjykatës caktimin e një dite gjykimi dhe marrjen e vendimit për zgjidhjen e martesës me të paditurën“, thotë Ilir Meta i cili ka shtuar si prova certifikatën familjare dhe atë të martesës.