Nga përplasjet me Gardën dhe Policinë te pretendimet se u përdorën armët dhe u hodh benzinë/ Çfarë ndodhi sot në Kuvend

2 orë kaos dhe benzinë brenda, por përplasja tek Kuvendi ka vijuar edhe jashtë godinës.Ashtu siç edhe pritej, tensionet ishin prezente që në nisje të saj, ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita e cila vijon t’i mëshojë “mosbindjes civile”.

Në përpjekje për të shmangur tensionet, deputetët e mazhorancës nisën të shkonin në Parlament rreth 90 minuta para nisjes së seancës, në mënyrë që të mos krijoheshin situata si ajo e tre javëve më parë, kur u penguan nga kolegët e opozitës të futeshin në godinë dhe u detyruan të përdornin hyrjen e sigurisë.

Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nisi seancën, jashtë godinës në hyrjen kryesore të Kuvendit, deputetët e opozitës kërkonin të hynin, gjë që u ndalua nga Garda, referuar vendimit të marrë nga Sekretariati i Etikës për përjashtimin e 24 prej tyre për periudha të ndryshme kohore, dënim që ka përfunduar vetëm për deputetin Edi Paloka, i cili ishte dënuar me 10 ditë përjashtim nga punime te Kuvendit.

Pasi seanca plenare përfundoi, qytetarët që kishin dalë për të protestuar para Bashkisë së Tiranës, shkuan në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë dhe tentuan që të “çmontonin” gardhin e krijuar. Futja e tyre brenda ambienteve të Kuvendit ka shkaktuar përplasje mes kreut të Gardës, Ermal Onuzi dhe vartësve të tij.Ishte deputeti i PD-së Flamur Noka ai që e leu me benzinë dhe më pas i vuri flakën. Por për shkak të materialit të banderolës pati vështirësi në përhapjen e flakëve dhe deputeti i PD-së Dashnor Sula i vuri flakën xhaketës së tij.

 

Protestuesit e opozitës që protestonin para Bashkisë së Tiranës u zhvendosën para Parlamentit, duke ju bashkuar deputetëve të PD-së që nuk ishin lejuar të hynin në seancës për shkak të masës disiplinore.Një incident mes një punonjësi të forcave speciale dhe deputetit të Luan Baçi shkaktoi tension dhe përplasje fizike.

Polici i ndërhyrjes së shpejtëi preku këllëfin e armës, duke bërë që opozita të pretendonte se efektivi i tregoi armën deputetit të Partisë Demokratike.Kjo shkaktoi dhunë dhe përplasje fizike. Deputetët Flamur Noka dhe Bledion Nallbati u përplasën fizikisht me efektivin që preku këllëfin e armës, duke e goditur. Ngjarjen e dënoi edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që tha se deputetit iu drejtua arma.

Opozita deklaroi se policia nuk ka të drejtë të hyjë në perimetrin e brendshëm të Parlamentit, pasi është kompetencë vetëm e Gardës së Republikës. Një moment tjetër që ka ngjallur debat ka qenë pretendime i Partisë Demokratike se një punonjës i FNSH u kishte drejtuar armën. Menjëherë reagoi Policia duke sqaruar se sipas ligjit për “tubimet”, asnjë efektiv nuk lejohet që të shkojë i armatosur në protesta.

Gazment Bardhi: Punonjësi i drejton armën Luan Baçit dhe Bledjon Nallbatit. Kërcënuan me armë deputetët e opozitës. Kjo pamje do transmetohet. Kjo është ajo që ndodhi. Për herë të parë është lejuar që të mbahet armë zjarri brenda kuvendit. Po kërcënohen me jetë deputetët brenda ambienteve të tyre të punës.

Të njëjtin pohim ka bër edhe Baçi, i cili po ashtu pretendon se po futej në parlament kur polici i u bë gati të nxirrte armën.

“Absolutisht po. Ne ishim duke shkuar në parlament dhe ata plehra që janë aty, polici nxorri pistoletën dhe më pas filloi të gjuante me atë,”- tha deputeti i PD-së, Luan Baçi për mediat tek parlamenti.

Gjakrat u ulën me ndërhyrjen e kreut të Gardës, teksa kërkoi largimin nga oborri i Parlamentit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe vendosjen e tyre në pjesën e jashtme të perimetrit. I paqartë mbetet shkaku përse efektivët e ndërhyrjes së shpejtë u lejuan nga gardistët që të futeshin në pjesën e brendshme të oborrit të Kuvendit, ku sigurinë në këtë perimetër e garanton Garda.

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se deputetët e Partisë Demokratike ishin kërcënuar me armë zjarri nga një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit sqaron se në bazë të ligjit për “tubimet”, punonjësve të Policisë u ndalohet që të mbajnë armë zjarri me vete. Sipas tyre, punonjësit e Policisë mbajnë me vete në tubime vetëm mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.

“Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit. Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private,”-sqaron Policia e Shtetit.

Po ashtu, sqarojnë edhe teksa ishin para Bashkisë së Tiranës, morën njoftim që protestuesit po i drejtoheshin godinës së Kuvendit, ndaj edhe kanë shkuar në mbështetje të Gardës.

Reagim i Policisë së Shtetit:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë. Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit. Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.

Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit. Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private. Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.

Mosbindja civile e deputetëve të opozitës në ambientet e jashtme të Parlamentit përfundoi më pas protestën. Teksa demokratët u nisën për në selinë e PD-së, Flamur Noka ka thënë se regjimi sot ka arritur kulmin duke kërcënuar nën tytën e armës deputetët.

Flamur Noka: Siç e patë, sot regjimi arriti kulmin duke kërcënuar nën tytën e armës deputetët. Nuk kishte ndodhur kurrë që forcat speciale të policisë të futen në ambientet e Gardës dhe të kërcënojnë nën tytën e armëve deputetët e popullit. Këtu vdes demokracia, shteti i së drejtës dhe shteti ligjor, vetëm diktatura, vetëm juntat fusin në Parlament polici dhe forca të armatosura.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, Noka ka thënë se ata janë të vendosur në rrugën e tyre për të vijuar me mosbindjen civile teksa është shprehur se sipas tij, “narko-regjimi është në panik nga opozita”.

Flamur Noka: Stërnipi i Enver Hoxhës kërcënon opozitën nga foltorja, narko-banditët me uniformë policore, gati të bëjnë çdo gjë. Që nga rrethimi dhe dhuna ndaj deputeteve, që nga prania e Gardës dhe Policisë tregon një panik. Narko-regjimi në panik nga mosbindja civile e opozitës. Edhe kërcënimet që hidhen nga Elisa Spirogjoka, nuk mund të tregojnë asgjë tjetër veçse panik dhe panik. Asgjë nuk i shpëton nga vullneti i opozitarëve. Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike. Sot nuk kanë kaluar 24 orë nga dita kur kreu i narkos ju tha shqiptarëve se do çelë kapitujt e negociatave, i çeli nën tytën e armëve duke kërcënuar deputetët. Jemi të vendosur në rrugën tonë, asgjë nuk na ndal. Ne do të vazhdojmë në rrugëtimin tonë.