Gjykata e Durrësit i hap rrugë kthimit në normalitet të veprimtarisë së saj, që nga dita e mërkurë.
Mësohet se në një urdhër të nxjerrë pasditen e sotme, rezultat i bisedimeve mes drejtuesit të gjykatës dhe atij të DHVA-së Durrës, në prani dhe të kreut të Dhomës Kombëtare Maksim Haxhia, zv.kryetari i kësaj gjykate Paulin Ccera ka urdhëruar lejimin e avokatëve në hollet e kateve përkatëse ku do të bëhen seancat gjyqësore.
“Në kuadër të mirë administrimit të këtyre ambienteve, vlerësohet se palët, në pritje të seancave gjyqësore, do të qëndrojnë në hollin e Gjykatës në katin e parë dhe njoftimi i tyre të kryhet njëkohësisht si nga sekretaret gjyqësore edhe nëpërmjet sistemit audio. Nëse seanca për arsye objektive do të filloj më vonese, palët do të presin në hollin e katit të parë të gjykatës, ndërsa prokurori dhe avokati do lejohen për t’u ngjitur në hollin e katit të dytë dhe të tretë të gjykatës, në ambiente të përshtatura për pritje.”
Kjo vendimmarrje erdhi nga ana e gjykatës pas bojkotit të gjyqeve nga ana e avokatëve, duke marrë edhe mendimin e gjyqtarëve, si dhe për të garantuar të drejtën për një proces të rregullt në veprimtarinë gjyqësore, si dhe për të respektuar solemnitetin e gjykimit.
Në bazë të këtij urdhri që zgjidh ngërçin që çoi në paralizën dy ditore të veprimtarisë së gjykatës, palët e tjera të përfshira në proces sikurse janë dëshmitarë, ekspertë dhe çdo përdorues tjetër i gjykatës do të
qëndrojnë në hollin e katit të parë të gjykatës, derisa të njoftohen për seancën nga sekretaret gjyqësore. Palëve u kërkohet të respektojnë rregullat e etikës formale, për sa i përket veshjes së përdorur dhe komunikimit dhe nëse nuk zbatojnë parashikimet e këtij urdhri nuk do t’u lejohet hyrja në ambientet e brendshme të gjykatës në respektim dhe të solemnitetit të gjykimit.
Edhe në këtë komunikim me shkrim, Gjykata e Durrësit ka argumentuar se vendimi për të mos lënë avokatët në ambientet e brendshme të saj ishte për shkak se shtimi i organikës me gjyqtarë dhe nëpunës të administratës, si dhe zgjerimi i juridiksionit të kësaj gjykate në katër bashki, ka rritur ndjeshëm numrin e çështjeve që gjykohen gjatë ditës. “Ambientet e godinës ku ushtron veprimtarinë kjo gjykatë janë të pamjaftueshme për ushtrimin e detyrës si nga ana e gjyqtarëve po ashtu dhe të administratës gjyqësore. Ato nuk ofrojnë garancitë e nevojshme për sigurinë fizike të gjyqtarëve, zbatimin e parimit të transparencës, trajtimit dinjitoz e solemn të përdoruesve të gjykatës apo zhvillimin e seancave gjyqësore në tërësi. Problematika e një godine të re është adresuar ndër vite, por akoma nuk ka gjetur zgjidhje.”, thuhet në urdhrin e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.