Nga martesat fiktive si formë për t’i shpëtuar sanksioneve, te marrja e shërbimeve civile të emigrantëve në konsullata, Balla propozon ndryshimet ligjore
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në fjalën e tij në komisionin e Ligjeve ka bërë disa propozime në lidhje me ligjin për adresat dhe atë për shërbimet civile.
Balla ka renditur disa pika të asaj që e konsideroi si një paketë e rëndësishme transformimi.
Balla mes të tjerash propozoi ndryshime në ligj për martesat fiktive të përdorura nga shtetasit shqiptar për “t’i shpëtuar” sanksioneve siç është udhëtimi jashtë vendit, duke marrë mbiemrin e bashkëshortes.
Ministri ka propozuar gjithashtu që shërbimet civile për emigrantët të ofrohen në gamë të plotë nga konsullatat e vendeve ku ata jetojnë.
“Propozoj:
Të plotësojmë kuadrin ligjor për të mundësuar kalimin e mëtejshëm të shërbimeve të gjendjes civile online.
Saktësimi i përkufizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit.
Një problematikë që e hasim në marrëdhënie me zgjedhësit, në marrëdhënie me regjistrat e të dhënat demografike, ku fëmijët lindin të vdekur, pasqyrimi në regjistra.
Adresimin e fenomenit të martesave fiktive. Artifica e marrjes së mbiemrit të bashkëshortes. Një qytetar bën një martesë fiktive dhe pretendon se ka marrë një identitet të ri për ti shpëtuar kufizimeve. T’i vendosim fre këtij forme abuzimi.
Ata që jetojnë jashtë dhe kërkojnë shërbime, të gjithë gamën, me ligj tua njohim të drejtën e ofrimit të shërbimeve civile konsullatave. Kjo rrit e fuqizon shërbimin ndaj qytetarëve për t’i ardhur në ndihmë atyre që jetojnë jashtë territorit”, ka deklaruar ai.