Nga Lezha në Vlorë, çfarë është fenomeni i rrallë që “ftohu” bregdetin e Adriatikut
Një mjegull e dendur dhe e bardhë ka mbuluar sot disa prej qyteteve bregdetare të Shqipërisë, përfshirë Lezhën, Durrësin, Vlorën dhe zona të tjera përgjatë vijës detare, duke krijuar një panoramë të pazakontë për pushuesit dhe banorët lokalë.
Pamjet tregojnë një peizazh të turbullt dhe të mbështjellë nga një shtresë e trashë avujsh që qëndron pezull mbi det.
Sipas ekspertëve të meteorologjisë, ky është një fenomen i rrallë që njihet si “invers termik” apo “mjegull detare”. Ai ndodh kur një masë ajri shumë e nxehtë që ngrihet nga toka ndeshet me ajër më të ftohtë dhe të lagësht që vjen nga sipërfaqja e detit. Si rezultat, krijohet një shtresë avujsh uji që ngjitet dhe përqendrohet në formën e një mjegulle të dendur dhe të ulët.
Ky fenomen ka ndikuar edhe në uljen e temperaturave në bregdet, duke sjellë një freski të papritur në kulmin e vapës. Në zonat ku mjegulla ka qenë më e dendur, temperaturat kanë zbritur me disa gradë, duke ofruar një lehtësim të përkohshëm nga i nxehti për pushuesit.
Efekti është më i dukshëm gjatë mëngjesit dhe orëve të para të pasdites, në kushte të motit të qëndrueshëm dhe kur mungon era.