Nga Kombëtarja, te kampionatet, e drejta televizive dhe projektet madhore të FSHF-së, rrëfimi 360 gradë i Presidentit Duka

Fitoret ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe kanë rritur entuziasmin në kampin e kombëtares shqiptare, që hodhi një hap të madh drejt grupeve të Euro2024. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka analizuar këtë moment të kuqezinjve, ku u shpreh se skuadra ka bërë vetëm detyrën në këto dy ndeshje, ndërsa nënvizon se dy takimet deçizive të Shqipërisë janë në muajin shtator, kundër Çekisë e Polonisë.

“Kanë qenë dy nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit sepse konsiderohen si të lehta në letër ose ekipet në përgjithësi kanë një lloj nënvlerësimi. Por në këtë grup asnjë ekip nuk është i dobët dhe fatmirësisht ekipi ynë e kaloi me sukses, duke i vlerësuar maksimalisht të dy kundërshtarët, me një paraqitje të mirë dhe me një rezultat pozitiv. Nëse do të kthehemi dhe të shohim rezultatet, fatmirësisht nuk pësuam atë që pësoi Polonia në Moldavi. Por me gjithë optimizmin, frymën e mirë, kënaqësinë e lojtarëve dhe tifozëve, në një lloj mënyre, kemi bërë vetëm detyrën për të shkuar aty ku duhet të shkojmë. Që të shkojmë në Europian duhet të bëjmë akoma edhe më mirë në shtator. Nëse nuk bëjmë mirë në shtator, atëherë do të rrëzojmë edhe punën që kemi bërë në qershor”.

Presidenti i Federatës Shqiptare beson tek një paraqitje e mirë e skuadrave shqiptare në arenën Europiane.

“Urojmë që të kemi rezultate pozitive për të katër skuadrat tona në Europë. Të katër kanë kundërshtarë që janë të kalueshëm. Por, varet nga përgatitja që ato kanë bërë dhe nga mënyra se si ekipet do të luajnë. Nuk është e njëjta gjë, çdo kompeticion ka specifikat e veta. Janë kompeticione me sistem eliminimi dhe gabimet duhet të jenë minimale. Kështu që duhet të jesh pragmatist për të bërë rezultat pozitiv. Kam shumë besim te katër ekipet, që të kalojnë të paktën turin e parë. Pa dyshim që nëse kalojnë turin e parë, fillojnë dhe gjërat vështirësohen edhe më shumë. Por, pse jo, uroj që të shohim sa më shumë futboll ndërkombëtar me klubet, për të arritur edhe në muajt e vjeshtës”.

E drejta televizive e kampionatit shqiptarë të futbollit mbetet ende në ajër, me presidentin Duka që sqaroi edhe dy planet që qëndrojnë në tryezën e FSHF-së.

“Kemi ndërprerë kontratën me “broadcaster”-in që kishim për transmetimin e kampionatit shqiptar, për mos respektim të kushteve të kontratës. Kemi qenë të detyruar për të filluar një proces të ri, proces i cili konsiston në ofrimin në treg të të drejtave televizive, tashmë të lira, pa asnjë detyrim me partner tjetër. Do të shohim se çfarë do të ofrojë tregu, çfarë do të ofrojnë televizionet. Stafi i FSHF ka përgatitur mënyrën se si do t’i ofrohet tregut, diferencimin e paketave të ndryshme, qoftë për të pasur të drejtën e golave në vete, të drejtën e transmetimit, ekskluziv, jo ekskluziv. Të gjitha këto bëhen për të arritur në një pritshmëri financiare që ne kemi, ose në shifrën që ne kemi objektivat apo kishim vitin e kaluar për klubet. Nëse tregu nuk do të ofrojë këtë, padyshim kemi edhe një plan të dytë. Gjithsesi duam t’i ofrojmë në mënyrë kualitative shikuesve, por edhe klubeve financat e pritshme brenda pritshmërive. Ka një ndryshim, kemi ndryshuar prodhuesin teknik të ndeshjeve, për të pasur një produkt sa më të mirë, sa më të kënaqshëm për spektatorët në ekran”.

Presidenti i FSHF, Armand Duka premtoi se në të ardhmen, vendi ynë do të organizojë një kompeticion Europian. Shqipëria ka hedhur kandidaturën për pritjen e Europianit të 19-vjeçarëve.