Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Gazmir Preçin, ish-shefin e Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i cili akuzohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Preçi, i njohur për karrierën e tij të diskutueshme në Policinë e Shtetit, akuzohet se i ka kërkuar dhe marrë 10 mijë euro pronarit të një klubi nate në Durrës për të mos ushtruar kontrolle në biznesin e tij.
Sipas SPAK, hetimet nisën pas denoncimit të pronarit të lokalit “Night” pranë Urës së Dajlanit. Pronari ka deklaruar se Preçi e kërcënoi me mbylljen e aktivitetit, duke i kërkuar fillimisht 20 mijë euro, por më pas negociata e reduktoi shumën në 10 mijë euro. Takimi për dorëzimin e parave u zhvillua në Tiranë, ku ish-shefi i Antidrogës u vu në pranga nga hetuesit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) sapo mori një pjesë të shumës.
Preçi nuk është i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2021, ai u arrestua së bashku me disa zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit, pasi u hetua për “Shpërdorim detyre” në lidhje me lejimin e kultivimit të kanabisit në zonën e Poçemit, afër Urës së Vjosës në Mallakastër. Megjithatë, çuditërisht, ndonëse ndaj tij rëndonin akuza të rënda, ai u gradua më vonë në krye të Sektorit të Antidrogës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Në dosjen e hetimit të vitit 2021, u evidentua se Gazmir Preçi dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit kishin favorizuar kultivimin e disa parcelave me kanabis në zonë. Edhe atëherë, ai arriti t’i shpëtonte ndëshkimit të rëndë, pasi gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Rasti që i dha fund karrierës së Gazmir Preçit nisi me një hetim të fshehtë të AMP-së, që monitoroi çdo lëvizje të tij pas denoncimit të pronarit të klubit të natës në Durrës. Pasi u mblodhën provat e nevojshme, hetuesit organizuan kapjen në flagrancë të Preçit. Takimi për dorëzimin e parave u zhvillua në një zonë të Tiranës, ku Preçi nuk e kishte menduar se kolegët e tij ishin në gatishmëri për ta arrestuar.
Tashmë, dosja e Gazmir Preçit ndodhet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku ai do të përballet me akuzën e rëndë për korrupsion pasiv. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim të ashpër, duke përmbyllur kështu një karrierë të gjatë të njollosur nga abuzimet dhe skandalet.