Nga biletat e avionit te fotot personale, mënyrat e çuditshme si emigrantët tentojnë të provojnë vendbanimin
Deklarimi i pasaktë i adresës së banimit mbetet arsyeja kryesore pse shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit po përballen me refuzimin e aplikimeve për regjistrimin e tyre si votues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Shumë emigrantë, në përpjekje për të vërtetuar vendbanimin e tyre, kanë zgjedhur metoda të pazakonta duke ngarkuar në databazën e KQZ-së dokumente si bileta avioni, fatura të ujit dhe dritave, madje edhe karta krediti, duke rrezikuar kështu ekspozimin e të dhënave personale. Disa të tjerë kanë shkuar edhe më tej, duke dërguar foto të vetes në shtëpinë ku jetojnë apo të tabelave të rrugëve në lagjet e tyre, në përpjekje për të bindur autoritetet për adresën e tyre jashtë Shqipërisë.
KQZ ka bërë publike disa nga këto raste, duke i cilësuar si shembuj të gabimeve që duhet të shmangen. Autoritetet u bëjnë thirrje emigrantëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin ndarjen e informacionit të panevojshëm që mund të cënojë privatësinë e tyre.
“Shërbimi i Ndihmës për Aplikuesit është aktiv 24 orë në ditë dhe ndihmon shtetasit shqiptarë të shmangin gabimet e tilla. KQZ mbron të dhënat personale sipas legjislacionit në fuqi dhe fton të gjithë të tregojnë kujdes me ndarjen e informacionit,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Për të evituar refuzimin e aplikimeve, emigrantët duhet të sigurohen që adresa që deklarojnë të përputhet me dokumentin zyrtar që e vërteton atë, si një kontratë qiraje, faturë zyrtare apo një dokument të njohur nga autoritetet vendase.