Nga autobusët Shqipëri-Itali te rrjeti i drogës/ Kush është administratori i ‘Ligori Travel’ i arrestuar në operacionin ‘Ura’

Një tjetër emër i njohur iu shtua listës prej 52 të arrestuarve në kuadër të megaoperacionit ndërkombëtar të koduar “Ura”, zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe agjencinë EUROJUST. Mes personave të ndaluar është edhe Ligor Çombashi, administrator i kompanisë së transportit “Ligori Travel”, që operon prej vitesh në linjën Shqipëri-Itali.

Çombashi u arrestua në orët e para të mëngjesit të 21 majit në banesën e tij në fshatin Sheq Marinas, Fier. Ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi në vitin 2016 është arrestuar në Vlorë për kontrabandë mallrash. Sipas burimeve të besueshme nga vendi i ngjarjes, ai e kishte nisur aktivitetin që pas viteve ’90 me furgonë dhe gradualisht kishte ndërtuar një rrjet të gjerë transporti drejt Italisë.

Hetimet e SPAK dhe Antimafias italiane kanë zbuluar se Çombashi dyshohet se luante një rol të rëndësishëm në transportimin e shumave të mëdha parash të siguruara nga aktivitetet kriminale në Itali, për llogari të personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Këto para, kryesisht “cash”, dyshohet se transferoheshin në Shqipëri përmes linjave të autobusëve që ai administronte.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, operacioni i përbashkët çoi në:

-Ekzekutimin e 52 urdhër-arresteve, ku 29 u dhanë në Shqipëri, 22 në Itali dhe një urdhër ndalimi nga SPAK.

-Procedimin e 40 shtetasve shqiptarë dhe 12 italianëve të përfshirë në tre organizata kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Pulias.

-Sekuestrimin e pasurive të konsiderueshme, përfshirë kompani ndërtimi, agjenci, restorante, automjete luksoze, dhe miliona euro “cash” në të dy vendet.

Gjatë hetimeve u dokumentuan mbi 40 episode të trafikut të drogës, përfshirë transportin e 255 kilogramëve heroinë dhe kokainë përmes korrierëve ndërkombëtarë në drejtim të Barit në Itali. Një tjetër episod i rëndësishëm përfshinte edhe transferimin e 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, për një porosi prej 500 kg kokaine me origjinë nga Guayaquil, Ekuador.

Njoftimi i SPAK:

Në kuadër të një hetimi të përbashkët ndërkombëtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit (DDA), me mbështetjen e Eurojust dhe përmes ngritjes së një Skuadre të Përbashkët Hetimore, ekzekutuan sot, më 21 maj 2025, një operacion të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Operacioni rezultoi në 52 masa sigurimi personale, përkatësisht:

  • 29 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Posaçme për anëtarë të grupeve kriminale që vepronin në Shqipëri;
  • 1 urdhër ndalimi i lëshuar nga Prokuroria e Posaçme;
  • 22 masa sigurimi të vendosura nga Gjykata e Barit në Itali.

Në total, janë proceduar 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.

Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës. Një nga episodet përfshinte transportin e 255 kg heroinë dhe kokainë në Bari, përmes korrierëve ndërkombëtarë.

Sekuestrimet e pasurive janë kryer paralelisht në të dy vendet dhe përfshijnë:

Në Shqipëri:

  • 2 kompani ndërtimi,
  • 4 shoqëri tregtare dhe restorante,
  • 1 agjenci pasurish të paluajtshme,
  • 1 TV kabllor,
  • automjete luksoze, para cash, etj.

Më parë, gjatë hetimeve janë sekuestruar 3 milionë euro “cash”.

Në Itali:

  • 9 apartamente,
  • 4 kompani,
  • 7 llogari bankare,
  • 3 automjete, të sekuestruara në kuadër të masës së “sekuestros preventive”.

Hetimet u bazuan në metoda të avancuara hetimore si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video,vëzhgime dhe kontrolle,analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKYECC, dëshmi të tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Autoritetet evidentuan se pagesat për lëndët narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve, ndërsa vlera totale e transaksioneve të drogave të dokumentuara arrin në 4.5 milionë euro.

Gjithashtu, është dokumentuar edhe transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine, si parapagim për një sasi prej 500 kg kokaine që nisej nga Guayaquil, Ekuador.

Procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak, dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv.