Nga 1 janari 2024 taksohen profesionet e lira, 15% dhe 23%
Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm të vetë-punësuarit ku përfshihen edhe profesionistët e lirë do të paguajnë tatim, në varësi të të ardhurave të tyre, ndërkohë që së fundmi është publikuar në fletoren zyrtare udhëzimi i cili përmes shembujve konkretë përcakton mënyrën se si do të taksohen kategori të ndryshme.
Nga viti 2024, të gjithë të vetë-punësuarit me të ardhura neto të tatueshme deri në 14 milionë lekë në vit do të paguajnë tatim 15%, ndërsa mbi 14 milionë lekë tatimi do të jetë në 23%. Në këtë mënyrë kjo kategori nuk do të trajtohet më si biznes i vogël që është i përjashtuar nga tatim-fitimi dhe TVSH-ja.
Në udhëzimin e Ministrisë së Financave sqarohen me shifra se sa tatim do të paguaj kjo kategori, duke dhënë si shembull se të gjithë të vetë-punësuarit që deklarojnë fitim të 12 milionë lekë do të paguajnë 15% tatim ose 1.8 milionë lekë.