Netanyahu ndez një “bombë” politike! 54,000 ultraortodoksë do thirren në ushtri pas dekadash përjashtimi
Izraeli ndodhet përballë një tjetër krize të thellë politike e shoqërore, pasi qeveria e drejtuar nga Benjamin Netanyahu ka vendosur që të nisë rekrutimin në ushtri të 54,000 hebrenjve ultraortodoksë (Haredim), të cilët për dekada kanë qenë të përjashtuar nga shërbimi ushtarak në bazë të ligjit për studimet fetare në institucionet “jeshiva”.
Vendimi vjen pas skadimit të ligjit të përjashtimit në qershor 2024 dhe pas kërkesës së Gjykatës së Lartë, e cila prej vitesh ka kundërshtuar statusin e privilegjuar të komunitetit Haredi në lidhje me ushtrinë. Fletë-thirrjet për shërbimin ushtarak pritet të shpërndahen gjatë gjithë muajit korrik, me objektivin për të përfshirë 54.000 individë në moshë për shërbim.
“Ushtria do të nisë këtë javë shpërndarjen e thirrjeve për rekrutim për anëtarët e komunitetit ultraortodoks që nuk janë më të përjashtuar për shkak të studimeve të tyre fetare,” thuhet në një njoftim zyrtar të forcave të mbrojtjes izraelite (IDF).
Kundërshti nga aleatët e koalicionit
Ky vendim ka ndezur polemika të forta politike dhe sociale, sidomos brenda koalicionit të djathtë-fetar të Netanyahut, i cili përfshin parti që e kundërshtojnë kategorikisht rekrutimin e ultraortodoksëve. Grupi Haredi përbën rreth 14% të popullsisë hebraike në Izrael, me rreth 66.000 burra në moshë për ushtri, shumica e të cilëve kanë qenë të përjashtuar deri tani.
Rabinët më të fuqishëm të komunitetit e kanë cilësuar këtë hap si kërcënim për identitetin fetar të të rinjve dhe argumentojnë se studimi i Torës “mbrojt vendin po aq sa armët”. Një shqetësim i madh është edhe kontaktimi i të rinjve Haredi me një shoqëri jo-fetare, përfshirë pjesëmarrjen në një ushtri ku shërbejnë edhe gra, gjë që bie ndesh me rregullat e tyre të jetesës.
Konteksti: Lufta dhe pakënaqësia publike
Vendimi përfshihet në një kontekst të ndjeshëm politik dhe ushtarak, ku lufta në Gaza, përplasjet me Hezbollah në Liban, tensionet me Iranin dhe konflikti në Siri kanë vendosur ngarkesë të madhe mbi ushtrinë izraelite. Një pjesë e madhe e shoqërisë civile po e humb durimin me përjashtimin e një segmenti të popullsisë nga detyrimi për të mbrojtur vendin.
Kjo situatë ka rritur presionin ndaj qeverisë për ta barazuar barrën e shërbimit ushtarak për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeje fetare.
Një përplasje që mund të çojë në zgjedhje?
Ekspertët politikë paralajmërojnë se vendimi për rekrutimin e Haredimëve mund të shkaktojë krisje serioze brenda koalicionit qeverisës dhe të shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, nëse partitë fetare vendosin të largohen nga aleanca me Netanyahun.