Netanyahu: Djali im e anuloi dasmën dy herë për shkak të raketave iraniane, Trump e di lojën…
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur me gazetarët jashtë Spitalit Soroka në Beersheba, i cili më herët ishte goditur nga një raketë iraniane. Netanyahu u ndal tek roli i Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e Izraelit dhe vlerësoi mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.
“Presidenti Trump do të bëjë atë që është më e mira për Amerikën. Unë i besoj gjykimit të tij – ai është një mik i jashtëzakonshëm, një udhëheqës i jashtëzakonshëm botëror, një mik i jashtëzakonshëm i Izraelit dhe popullit hebre”, u shpreh Netanyahu.
Ai theksoi përkushtimin për të shkatërruar kërcënimin bërthamor ndaj Izraelit:
“Ne jemi të përkushtuar për të shkatërruar kërcënimin e shfarosjes bërthamore që varet mbi Izraelin. Për ta arritur këtë, Irani nuk duhet të pasurojë uranium. Është kaq e thjeshtë.”
Netanyahu shtoi se partneriteti me SHBA-në dhe sidomos me presidentin Trump është i jashtëzakonshëm dhe i pandashëm:
“Partneriteti me SHBA-në, partneriteti me presidentin Trump, me të cilin flas pothuajse çdo ditë – është i pabesueshëm. Mendoj se vendosmëria e tij dhe qartësia e tij kur thotë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore – është e padiskutueshme. Ai e di lojën.”
Duke ndarë edhe një detaj personal, Netanyahu tregoi se djali i tij Avner ka qenë i detyruar të anulojë dasmën dy herë për shkak të kërcënimeve me raketa, duke e përshkruar situatën si jashtëzakonisht të vështirë për popullin izraelit.
I pyetur nëse SHBA do të angazhohej drejtpërdrejt në sulme, Netanyahu u përgjigj se kjo është në dorën e presidentit Trump, por nënvizoi se ndihma amerikane, veçanërisht për mbrojtjen ajrore të Izraelit, është thelbësore.