Netanjahu falënderon Trump pas mbështetjes publike: Do të vazhdojmë të luftojmë bashkë kundër armiqve të përbashkët
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka reaguar pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e mbështeti hapur ndaj akuzave për korrupsion dhe e cilësoi si një “hero kombëtar” që po përballet me një “gjueti shtrigash”.
Në një postim në platformën X, Netanjahu shkruan:
“Faleminderit shumë, President Trump, për mbështetjen tuaj prekëse ndaj meje dhe për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme ndaj Izraelit dhe popullit hebre. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mposhtur armiqtë tanë të përbashkët, për të liruar të burgosurit tanë dhe për të zgjeruar me shpejtësi rrethin e paqes.”
Postimi u shoqërua me një foto të përbashkët të tij me Trump-in.
Më tej, Netanjahu shpërndau edhe mesazhin e Trump-it të publikuar në Truth Social, ku ky i fundit kritikoi ashpër procesin gjyqësor ndaj kryeministrit izraelit, duke e cilësuar atë si “proces qesharak” dhe “një nga gjuetitë më të turpshme të shtrigave kundër një lideri të vërtetë”.
Trump shkroi se ai dhe Netanjahu “kanë kaluar së bashku nëpër ferr, duke luftuar një armik shumë të vështirë dhe të zgjuar – Iranin.”
Sipas tij, Netanjahu “nuk mund të kishte qenë më i mirë, më inteligjent apo më i fuqishëm në dashurinë e tij për Tokën e Shenjtë.”
Presidenti amerikan e cilësoi atë si “luftëtarin më të madh në historinë e Izraelit”, duke thënë se një lider tjetër do të ishte rrënuar nga procesi, por jo Netanjahu.