Nesër nis rinumërimi në katër qarqe, cilët janë kandidatët që rrezikojnë mandatin

Duke filluar nga e marta në mëngjes, në stadiumin “Fahrie Hoti”, do të rinumërohet gati 43 % e votave të 11 majit. Në total, do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit. Procesi zhvillohet për 4 qarqet Tiranë, Fier, Elbasan dhe Durrës dhe do kushtojë rreth 21 mln lekë të rinj. KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi ka kursyer.

Buxheti që do të harxhohet prej 21 mln lekësh të rinj do të shkojë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve, infrastrukturën logjistike dhe për zarfe e materiale ndihmëse.

“Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vënë në lëvizje KQZ dhe një nga operacionet më të rëndësishme zgjedhore pas votimit: rinumërimin e kutive të votimit. Ky proces garantohet nga profesionalizmi i administratës së KQZ-së dhe transparenca ndaj publikut duke transmetuar direkt online çdo veprim të kryer”, shkruan KQZ.

Të parat që do të hapen do të jenë 94 kuti votimit (së bashku me kutitë të materialeve zgjedhore) të bashkive Peqin dhe Gramsh. Më pas do të numërohet të gjitha fletët e votimit të qarkut Tiranë (1282 kuti), dhe pastaj të gjitha kutitë e qarkut Fier (587). Në fund do të numërohen 360 kuti të qarkut Durrës, ku përfshihen edhe disa kuti materialesh zgjedhore dhe të gjitha kutitë e diasporës që kanë ardhur në qarkun Durrës.

A mund të ndryshojë diçka? Cilat janë diferencat?

FIER

Në Fier, Koalicioni “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt e humbi mandatin për rreth 500 vota. Nëse rinumërimi gjen kaq vota në favor të partisë së re, atëherë Azmer Duleviç bëhet deputet, dhe nga Partia Socialiste humbet një mandat dhe ajo që ngel jashtë është Zegjine Çaushi. PD nuk rrezikon asgjë nga rinumërimi.

Që Nisma Mundësia të marrë mandatin në qarkun e Fierit i duhet të rikuperojë 519 vota dhe t’i marrë Partisë Socialiste një deputet. Çdo ndryshim tjetër është i pamundur. Qe PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë, ose PS te ketë rreth 19,000 vota më pak. Pra, krejtësisht e pamundur.

TIRANË

Në qarkun Tiranë, i vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë. Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota ‘gjenden’, në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti. Që Mundësia ta ruaje mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4500 vota.

Kandidatët

Diferenca më e ngushtë e kandidatëve demokratë në Tiranë, është ajo e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit. Deputetja aktuale ka një avantazh prej 2400 votash, që zor se thyhet.

Mes socialistëve, diferenca më e ngushtë dhe me risk për tu përmbysur, është ajo mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylamentit. Ish-ministrja ka një avantazh të lehtë prej 140 votash. Nga ana tjetër, Xhemal Qefalia është 500 vota larg Ornaldo Rakipit, i cili doli fitues.

DURRËS

Në Durrës, Aulon Kalaja po zhvillon një betejë kundër ish prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit rezulton fitues me gati 1000 vota diferencë, e cila zor se mund të përmbyset në kushtet kur PD nuk ka kërkuar rinumërim të plotë të qarkut, por një pjesë të tij.

Përveç mundësive të renditura më lart, çdo ndryshim tjetër në raport me mandatet dhe kandidatët është i pamundur.

Procesi i rinumërimit dhe sa zgjat?

Procesi i rinumërimit mund të zgjasë 1 muaj. Sa i takon qarkut të Elbasanit. Kutitë e hapura në Peqin dhe Gramsh nuk pritet të ndikojnë në rezultat, por vetëm t’i ofrojnë PD-së prova për atë që e quan masakër zgjedhore.

Është parashikuar që të ngrihen 24 grupe numërimi me 63 punonjës të administratës (48 numërues + 15 zëvendësues). Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.

· Për çdo tavolinë numërimi do të ketë transmetim online në kohë reale të procesit.

· Ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” do të jenë të monitoruara nga kamerat 24/7, dhe do të ketë transmetim në kohë reale të këtij monitorimi.

Lidhur me kohëzgjatjen që do të marrë procesi i rinumërimit:

Gjatë numërimit të parë më 12 maj:
· Për qarkun e Tiranës janë angazhuar 208 grupe numërimi në 104 tavolina.

· Për qarkun e Fierit janë angazhuar 92 grupe numërimi në 46 tavolina.

Për procesin e rinumërimit do të jenë gati 6 herë më pak tavolina dhe si rrjedhojë do të duhet rreth 6 herë më tepër kohë se sa u është dashur numëruesve të partive politike për të tabuluar rezultatin/shqiptarja.com