Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët në gjithë vendin fillojnë agjërimin
Nesër besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muajit të bekuar (30 ditë), besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e islamit.
Dita e parë e Ramazanit është më 11 mars, ku koha e syfyrit për vendin tonë përkon në orën 04:23, ndërsa iftari në orën 17:49. Dita e fundit e Ramazanit është më 9 prill, ndërkaq Fitër Bajrami festohet më 10 prill.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka ndarë një mesazh urimi për ditën më të rëndësishme të myslimanëve. Ai thotë se ky është muaji i solidaritetit dhe dhënies së lëmoshës, ndërsa nuk harron as luftën. Spahiu u shpreh se lutjet shkojnë që të arrihet sa më shpejt paqja në Ukrainë e në Rripin e Gazës.
“E lusim zotin që të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji, të na bëjë paqe e begati, që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe në çdo vend ku ka konflikte dhe njerëzit që gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të Begatë”, thotë Spahiu.